Zgjedhjet lokale 2017, BDI: Tetova e Gostivari të përsërisin mbështetjen
BDI mbrëmë ka realizuar takime me banorët e Reçicës së Tetovës, me ç’rast ka kërkuar mbështetje për rrethin e dytë që Teuta Arifi të udhëheqë edhe një mandat me komunën e Tetovës…
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ftoi banorët e kësaj komune që të rreshtohen në anën e duhur, sepse BDI ofron perspektivë si në nivel qendror po ashtu edhe në nivel lokal.
Sipas tij, këto zgjedhje nuk janë vetëm lokale, por kanë një rëndësi të veçantë, sepse do të jenë në përkrahje edhe të pushtetit qendror, për të qenë sa më stabile në drejtim të materializimit të reformave të paralajmëruara, prandaj për të hapëruar drejt proceseve të tilla nevojitet mbështetje, nënvizoi Ahmeti.
“Të gjithë kemi për obligim që këtë proces ta ndihmojmë dhe t’i thërrasim të gjithë ata që kanë ndonjë dilemë, hamendje që të jenë në taborin e fitimtarëve. Mbështetjen e plotë Teuta e ka si nga ekzekutivi, si nga BDI, për ta drejtuar edhe në katër vitet e ardhshme komunën e Tetovës”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Kandidatja për karrigen e parë të Tetovës, Teuta Arifi, duke kërkuar mbështetjen e banorëve të Tetovës dhe Reçisës, tha se raundi i dytë do të jetë vulosje politike e fitores së BDI-së në Tetovë.
Vendimin për atë se kush ia vlen të udhëheq me komunën qytetarët e kanë marrë që në rrethin e parë, tha Arifi, duke shtuar se në mandatin e ardhshëm do të ketë mbështetjen e plotë të partisë që përfaqëson si dhe pushtetit qendror në mënyrë që të zbatojë programin e saj në katër vitet e ardhshme.
“Mendoj se do të punojmë së bashku, sepse unë asnjëherë nuk kam qenë dhe jam ndjerë vetë në këtë drejtim, por në të ardhmen mendoj që akoma më tepër do të kem mbështetjen e një qeverie e cila do të jetë korrekte dhe bashkëpunuese. Jam shumë e bindur që do të kemi shumë përkrahje edhe nga miqtë e tanë ndërkombëtarë e kemi pasur gjithmonë na kanë ndihmuar në projekte të mesme, të vogla edhe më të mëdha, do të na ndihmojnë edhe në të ardhmen”,- u shpreh kandidatja për kryetare në Tetovë nga BDI, Teuta Arifi.
Ndërkohë, në takimin me banorët e Gostivarit kandidati nga radhët e BDI-së, Nevzat Bejta, që pretendon edhe për një mandat tha se në mandatin e shkuar kemi realizuar mbi 600 projekte dhe kemi investuar mbi 40 milion euro.
Ai kërkoi mbështetjen e tyre duke premtuar se së bashku me ekipin e tij ka hartuar një program i cili do të jetë në dobi të Gostivarit të nesërm.
“Në programin tonë parazgjedhor kemi paraparë projekte për ta ndërtuar Gostivarin e nesërm. Problemin e deponisë regjionale do ta zgjedhim, do të vazhdojmë të ndërtojmë urën e katërt, rrjetin e ujësjellësit të qytetit të Gostivarit do ta ndërrojmë, do t’i heqim të gjithë gypat të cilët nuk janë të shëndetshëm për qytetarët e Gostivarit. Projekti ka filluar të realizohet, financat i kemi siguruar”,- theksoi kandidati për kryetar në Gostivar nga BDI, Nevzat Bejta.
Ahmeti mbrëmë është takuar në Tetovë edhe me partnerin e koalicionit qeveritar, Zoran Zaev, i cili gjithashtu u ka dhënë mbështetje kandidatëve të BDI-së në Tetovë, Gostivar, Strugë e Çair.