Haradinaj: Marrëveshja tashmë është e vdekur

253

Çështja e demarkacionit të kufijve të Kosovës me Malin e Zi ka qenë dhe vazhdon të jetë një ndër temat më preokupuese në vend.

Ndërsa sot është mbajtur edhe seanca plenare në Kuvendin e Kosovës ku pritej që të bëhej votimi rreth vendosjes së këtij demarkacioni.

Pas fillimit të seancës kryeministri i vendit Isa Mustafa ka bërë të ditur se votimi për demarkacionin e Kosovës është shtyrë.

Ndërsa në një intervistë për Indeksonline, i pari nga radhët e partisë Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, ka theksuar se Parlamenti i Kosovës sot ishte i gatshëm për t’i thënë jo marrëveshjes për demarkacion.

-Si e shihni shtyrjen e votimit të demarkacionit të kufijve me Malin e Zi?

Haradinaj: Parlamenti sot ishte i gatshëm t’i thotë jo marrëveshjes për demarkacionin qeveria e ka tërhjekur dhe nuk e la parlamentin që të kryejë punën e vet dhe në bazë të detyrës që ka parlamenti kjo nënkupton që parlamenti ka kryer punën e vetë duke i thënë jo kësaj marrëveshje.
Ndërsa tani me siguri që qeveria dhe ata që e sponsorizuan këtë marrëveshje të gabuar, do të provojnë të bëjnë shantazhe dhe mënyra të tjera joshëse që prapë të riorganizojnë votën dhe të bëjnë koncesione të reja me Beogradin. Por ajo që është shumë më rëndësi që parlamenti i Kosovës e dha vendimin për këtë çështje dhe e dha votën jo.

– Si e shihni ju shtyrjen e këtij votimi për shtetin e Kosovës?

Haradinaj: Më mirë ka qenë që të bëhej rënia poshtë me votë e në atë mënyrë edhe Kosova do të ishte shkarkuar nga kjo temë për fat të keq ata nuk është hera e parë që nuk po mërziten për Kosovën por po i ndjekin agjendat e veta.

-A mendoni se mos arritja e mbledhjes së votave për demarkacionin sot ka treguar dobësimin e pozitës në vend?

Haradinaj: Ata nuk i kishin sot votat. Sot parlamenti ishte jo për demarkacionin dhe kjo u tregua qartë dhe kjo jo i dha fund kësaj marrëveshje e cila tashmë ka vdekur. Nëse flasim për demokraci apo vend demokratik, parlamenti ishte sot pikërisht aty për të dhënë votën jo. Ishte në rend dite dhe heqja nga rendi i ditës i qeverisë pas gjithë kësaj traume që i është bërë vendit nënkupton që kjo marrëveshje ka vdekur.

– Kryeministri dhe presidenti janë shprehur shumë të bindur deri më sot se kjo marrëveshje do të kaloj, por në fakt ky pretendim sot dështoj, si mendoni se mund të arsyetohet kjo nga ana e tyre?

Haradinaj: Nuk është vetëm mos prezenca e Listës Serbe që bëri shtyjen e votimit, pasi në Kuvend nuk kishte mungesë të deputetëve aty ishin 100 deputetë. Ndikimi ishte problemi i votës jo, dhe ata vetëm që t’i ikin votës jo e tërhoqën nga votimi dhe nga rendi i ditës. Parlamenti i tha jo marrëveshjes së demarkacionit.

-Cila ishte arsyeja që ju keni liruar sallën e Kuvendit sot para se të bëhej i ditur lajmi se shtyhet votimi i demarkacionit?

Haradinaj: Ishte kuptuar tashmë skenari. Unë nuk jam deputet, isha vetëm si mysafir por u kuptua se qeveria po e tërheq pasi që vota kundër ishte e madhe. Dhe kur flas për votë kundër nuk mendoj vetëm për opozitën por edhe për deputetët nga pozita dhe deputetët e pavarur, nga komunitetet jo-serbe pra vota kundër ishte shumë e madhe dhe duke e parë këtë gjendje ata e bënë tërheqjen.
Kjo marrëveshje nga sot është e vdekur. Kjo marrëveshje por praktikat që kanë bërë ata më herët dhe që vazhdojnë ti bëjnë janë vërtetë të dëmshme për vendin pra kush e di me çfarë koncesionesh që do ti ofrojnë tani Beogradit, dhe kush e di çfarë do të bëjnë me deputetët sepse parlamenti e ka tërhequr këtë marrëveshje.
Por ka qenë më mirë për Kosovën që të rrëzohej përmes votës.

– Sipas ju pavarësisht metodave që do të përdoren nga pozita që të arrihet votimi i kësaj marrëveshje ju besoni se kjo gjë nuk do të jetë e mundur?

Haradinaj: Po e përsëris që kjo marrëveshje ka vdekur sot. Sot ishte jo, parlamenti i tha jo dhe nuk mund të ringjallet më kjo marrëveshje. Ata vetëm munden të vazhdojnë të mbajnë me trauma Kosovën dhe në presion me këtë marrëveshje. Por tani është e qartë se deputetët kanë integritetin e tyre, bindjet e tyre dhe duhet të cekë se kam respekt të veçantë edhe për deputetët e pozitës të cilët edhe pse për ta nuk është e lehtë dhe integriteti i tyre bëri që të kundërshtohej një çështje e tillë dhe saktësisht ti thuhet jo demarkacionit./Indeksonline/

Comments