KSHZ-ja deklarohet jo-kompetente për kryeshefin e SPB-së së Shkupit

320

Gjatë seancës së sotme anëtarët e KSHZ-së u shprehën jo-kompetent për të vendosur rreth emërimit të Risto Stavrevskit për kryeshef të SPB-Shkup.

“Nuk jemi kompetent për të vendosur për këtë çështje dhe këtë e bazoj në disa nene të ligjit për Qeverinë. Propozoj që KSHZ-ja të sjellë vendim me të cilin konstatohet se emërimi nuk ka të bëje me çështjet financiare dhe kadrovike që kanë të bëjnë me organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve”, tha Elizabeta Apostollovska, anëtare e KSHZ-se.

“KSHZ-ja nuk ka kompetence për të dhënë vlerësime për ligjshmërinë e akteve ligjore sepse do te hyjmë në kompetenca të gjykatës. KSHZ-ja nuk ka kompetence për të vlerësuar punën e Qeverise”, u shpreh Boris Kondarko, anëtar.

“Kompetenca e KSHZ-së për mosmarrëveshjet mes ministrit dhe zëvendësministres plotësuese ka te beje me zgjedhjet financiare dhe kadrovike por jo me vendimet e ministrit për emërimet”, theksoi Ditmire Shehu, nënkryetare e KSHZ-së.

“Konstatojmë se ky dokument nuk paraqet akt qe ka te beje me çështje financiare dhe kadrovike për organizimin e zgjedhjeve te rregulluar me ligjin për Qeverinë nenin 46 paragrafi 3 te ligjit për qeverinë por ka karakterin e një vendimi nga ana e atyre që janë kompetent për këto vendime”, deklaroi Oliver Derkoski.

Pasi zëvendësministrja plotësuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Sllavjanka Petrovska, nuk e nënshkroi vendimin për emërimin e Risto Stavrevskit, për shef të Sektorit për Punë të Brendshme – Shkup, ministri teknik i Punëve të Brendshme, Naqe Çulev, deklaroi se sot do të kërkojë mendim nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ).

Sipas Çulevit, problematika e zgjedhjes së Stavrevskit, në krye të SPB – Shkup, është për arsye politike. Ndërsa zëvendësministrja plotësuese Petrovska, ditë më parë tha se ajo nuk e ka nënshkruar vendimin për emërimin e Risto Stavrevskit për shef të SPB-Shkup, pasi sipas saj Stavrevski dëgjohet në audio incizime se si kryen presion mbi votuesit.

Comments