Nishani ngushëllon Ivanovin: Të gjithë jemi përkrah jush
”Në këto momente të vështira unë dhe populli shqiptar jemi krah jush dhe Qeverisë së Maqedonisë”, është shprehur Nishani
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, i ka dërguar një mesazh ngushëllimi homologut të tij, presidentit të Maqedonisë Gjorge Ivanov, pas katastrofës natyrore që përfshiu Maqedoninë, duke lënë pas të paktën 25 viktima, dhjetëra të plagosur e shumë të zhdukur.
Në mesazhin e tij, Nishani i ka shprehur presidentit maqedonas ngushëllime për viktimat, të lënduarit dhe dëmet e shkaktuara nga shtrëngatat dhe përmbytjet në Maqedoni.
“Me hidhërim të thellë u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave dhe të përmbyturve, Juve, qytetarëve të Shkupit e të gjithë Maqedonisë, si dhe ju siguroj se në këto momente të vështira unë dhe populli shqiptar jemi krah jush dhe Qeverisë së Maqedonisë. Uroj kapërcimin sa më të shpejtë të kësaj emergjence natyrore dhe kthimin sa më parë në normalitet të jetës së qytetarëve të Shkupit e të gjithë Maqedonisë!”, është shprehur Nishani.