Mijëra njerëz janë evakuuar nga një park gjerman pas shpërthimit të një zjarri të përmasave gjigande. Zjarri përfshiu një pjesë të madhe të parkut të zbavitjes. Askush nuk u dëmtua në evakuimin masiv, por shtatë zjarrfikës u plagosën ndërsa përpiqeshin të shuanin flakët në Europa-Park, në qytetin jugperëndimor të Rustit.
Zjarri nisi herët në mbrëmje në një ndërtesë magazinimi dhe më pas u zhvendos në pjesë të tjera, duke kulmuar me rrëzimin dhe shkatërrimin e instalacionit të udhëtimeve me varkë, Piratët e Batavias. Në momentin që shpërtheu zjarri, 25,000 vizitorë ndodheshin në park.
Rreth 250 zjarrfikës u përballën me zjarrin, duke arritur ta shuajnë gjatë ditës së sotme. Ekipet e shërbimit zjarrëfikës u thirrën gjithashtu nga Karlsruhe dhe Freiburg, dy qytete të mëdha në shtetin e Baden-Württemberg, tha zëdhënësi lokal i zjarrit Michael Wege.
Banorëve të Rustit iu kërkua të mbanin dritaret dhe dyert e mbyllura. Ndërkohë, fotot tregojnë re të dendura të tymit mbi ndërtesë.
Policia e Offenburg tha në një deklaratë se zjarrfikësit ishin “lënduar lehtë”, por të gjithë kishin lënë spitalin pas trajtimit me ndihmë mjekësore.
Shumica e parkut tani është rihapur. Megjithatë, pjesët e zonave holandeze dhe skandinave janë dëmtuar gjerësisht dhe mbeten të mbyllura.
Shefi ekzekutiv i Europa-Park, Michael Mack tha se ishte një “ditë e trishtuar” për parkun. Ai falënderoi shërbimet e emergjencës dhe shprehu lehtësimin e tij se asnjë nga klientët e parkut nuk ishte plagosur.
Nuk dihet se çfarë e ka shkaktuar zjarrin dhe zjarrfikësit qëndrojnë në park për të siguruar që zjarri të mos fillojë përsëri. Europa-Park është parku i dytë më i popullarizuar i Evropës pas Disneyland të Francës. Ajo tërhoqi rreth 5,7 milionë vizitorë vitin e kaluar.

