Rohde paralajmëron Kurtin: Vendet e Ballkanit Perëndimor do të ecin pa Kosovën në Procesin e Berlinit
Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të enjten, ka thënë se vendet e Ballkanit Perëndimor do të lëvizin pa Kosovën drejt bashkëpunimit rajonal, pas vizitës së “passuksesshme” të emisarit të posaçëm gjerman, Manuel Sarrazin, në Prishtinë, në kuadër të përgatitjeve në prag të Procesit të Berlinit.
Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, vazhdimisht i është kërkuar që të angazhohet urgjentisht në aktivitetet e bashkëpunimit rajonal dhe të respektojë obligimet që burojnë nga Marrëveshja për Tregti të Lirë – CEFTA dhe nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA), duke hequr në këtë mënyrë edhe vendimin për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia.
“Sarrazini vizitoi sërish Kosovën për t’i kërkuar Kurtit të bëjë kompromis për CEFTA-n, duke mundësuar liritë kyçe për qytetarët, duke zëvendësuar UNMIK-un dhe sjellur Kosovën në bord – pa sukses. Nëse është e nevojshme, vendet e tjera të rajonit do të lëvizin pa Kosovën për momentin, për të ecur përpara drejt bashkëpunimin rajonal dhe Procesin e Berlinit”.
Emisari Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor takoi javën e kaluar kreun e ekzekutivit kosovar, ku theksoi se vendet e rajonit, posaçërisht Kosova e Serbia, duhet të jenë të gatshme për kompromise në rrugën e tyre drejt bashkëpunimit rajonal dhe integrimit në Bashkimin Evropian (BE).
“U kërkoj të gjithëve të bëjnë gjithçka që është e mundur për të shprehur gatishmëri për kompromise në mënyrë që të arrihen rezultate për lëvizjen e lirë të mallrave, njerëzve, parasë dhe tregtisë në rajon për të ecur përpara drejt BE-së”, shtoi ai duke folur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit. /Albanianpost.com