Si u ftua Ali Ahmeti nga Specialja? S’ka shtetësi të Kosovës, Juristët: Specialja mund të ftojë këdo

444

Kam pranuar ftesën dhe do të shkoj të dëshmoj në Gjykatën Speciale të Kosovës, kështu ka njoftuar lideri i BDI-së, Ali Ahmeti se do të shkojë në Hagë të dëshmojë për Luftën e Kosovës. Por a mund një shtetas i huaj të dëshmojë për Luftën e Kosovës dhe meqë Ahmeti do të shkojë në Hagë, a do të thotë kjo se ai ka shtetësi të dyfishtë?

Nga BDI me përgjigje.

“Z. Ali Ahmeti ka shtetësi vetëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nuk është shtetas as i Kosovës dhe as i ndonjë vendi tjetër”, tha Artan Grubi, Sekretar Organizativ i BDI-së.

Për këtë TV21 ka pyetur në Ministrinë e Drejtësisë të Kosovës, por nga atje kanë deklaruar se nuk kanë të dhëna se nëse Ahmeti ka shtetësi të Kosovës. Por, duke cituar ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar kanë bërë të ditur se shtetësia nuk është përcaktues se a duhet ose jo një person të merret në pyetje nga Gjykata Speciale.

“Dhomat e Specializuara kanë juridiksion mbi personat e shtetësisë kosovare/IRJ apo mbi personat që kanë kryer krime në kuadër të juridiksionit të tyre lëndor kundër personave me shtetësi kosovare/IRJ kudo që janë kryer ato krime”, thonë nga Ministria e Drejtësisë në Kosovë.

Nga Ministria e Drejtësisë dhe e Punëve të Brendshme në Maqedoninë të Veriut nuk përgjigjen në atë se a janë informuar paraprakisht se shtetasit e saj do të merren në pyetje nga Specialja e Kosovës? Nuk përgjigjen edhe për atë se nëse ky veprim është në kundërshtim me ligjet e Maqedonisë së Veriut?
Çështje kontestuese nuk po shohin juristët. Avokati i akredituar i Gjykatës Speciale, Taulant Hodaj thotë se Gjykata Speciale mund të ftojë edhe shtetasit jashtë Kosovës.

“Kjo do të thotë se një shtetas tjetër, i një shteti tjetër, i Maqedonisë, i Shqipërisë, apo i kujtdo që të jetë, që potencialisht dyshohet se ka kryer krime ndaj shtetasve të Kosovës apo ish-Jugosllavisë në atë kohë, mund të jetë pjesë e juridiksionit të kësaj gjykate dhe zyrës së prokurores së specializuar. Pra janë këto rastet që mund të ketë juridiksion. Kjo mund të ndodhë edhe për rastet edhe kur dyshohet për krime që kanë ndodhur në Kosovë”, u shpreh Taulant Hodaj, avokat i akredituar i Gjykatës Speciale.

Por Ahmeti është ftuar si dëshmitar, a do të thotë kjo se edhe për dëshmitarët vlejnë të njëjtat dispozita. Eksperti juridik, Mersim Maksuti thotë se Ahmeti ftohet për të siguruar të dhëna.

“S’ka të bëjë fare kjo, sepse nuk thirret si shtetas i Maqedonisë së Veriut por thirret si figurë kryesore që mund të sigurojë informacione kryesore… që gjykatësit duhet për të ndjekur kryerësit e dyshuar për vepra penale”, deklaroi Mersim Maksuti, profesor i Juridikut.

Nga partia e Ahmetit janë të bindur se lideri i tyre po shkon për të dëshmuar dhe se nuk do të jetë i akuzuar, pasi siç thonë, besojnë në çiltërsinë e vepritarisë luftarake të tij.

“Nuk dyshojmë në veprimtarinë e tij të çiltër dhe të pastërt”, potencoi Visar Ganiu nga BDI.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti e ka pranuar ftesën e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë dhe do të shkojë të dëshmojë. Nuk dihet se nëse dëshmimi i tij ka të bëjë ose jo me aktakuzën ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të partisës Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Ahmeti është i dyti që po shkon në Hagë pasi Gjykata Speciale e Kosovës e ngriti aktakuzën për krime lufte ndaj njerëzimit më 24 prill. Nuk dihet se kur do të shkojë Ahmeti dhe se meqë është në rolin e dëshmitarit, a do të ketë mbrojtjen e shtetit të Maqedonisë së Veriut.

Comments