Sipas analistëve kriza politike më së tepërmi godet shqiptarët (Video)

116
Maqedoni-1-780x439

Moebel THEMA

Metodologjia e fundit për pastrimin e listës zgjedhore ku rreth 30 mijë shqiptarëve ju kontestohet e drejta e votës, është edhe një dëshmi se sa herë që vendin e kaplon një krizë politike, më së shumti dëmtohen shqiptarët. Kështu shprehen për Tv Shenja analistët politik në vend, të cilët rikujtojnë se problemi i cili fillimisht u ngrit për 200 mijë votues maqedonas të cilët opozita i quante fiktiv, në fund rezultoi në kurriz të votuesve shqiptarë, transmeton Telegrafi Maqedoni.

“Mua më vjen keq që gjithmonë çdo iniciativë për ti rregulluar punët brenda shtetit kur janë në pyetje problemet politike, fatkeqësisht, çdo gjë përfundon në dëm të shqiptarëve”, tha analisti Xhabir Ameti.

Për këtë situatë fajin më të madh analistët Xhabir Ameti dhe Ismet Ramadain e hedhin tek negociatorët shqiptarë në bisedimet e Përzhinos, Artan Grubi dhe Imer Aliu dhe dy partitë e tyre, BDI dhe PDSH. Analistët rikujtojnë se negociatorët shqiptarë në këto bisedime kanë qenë në raport të njëjtë me ato maqedonas, siç nuk ndodh në asnjë institucion apo rast tjetër ku shqiptarët asnjëherë nuk arrijnë 50 për qind siç ishte rasti në Përzhino.

“Tash unë ta kërkoj arsyen, ka shumë arsye, por njëra nga arsyet kryesore është ngathtësia e faktorit politik shqiptarë, qoftë e pozitës, qoftë e opozitës, ata kanë marrë pjesë në bisedime. Në bazë të rezultatit të atyre bisedimeve ku ne dalim me 40 mijë njerëz të pasigurt për zgjedhjet e ardhme, del se ata kanë heshtur dhe kjo është një fatkeqësi e madhe”, thekson analisti Xhabir Ameti.

“Po këtu shtrohet pyetja se ç’bëjnë, ose cili ishte roli i përfaqësuesve të partive politike këtu, I zotërive Grubi dhe Imeri të cilët aq lehtë janë pajtuar për një kompromis të tillë. Ç’ndodh me përfaqësuesit tanë shqiptarë të cilët janë në KSHZ”, thonë analisti Ismet Ramadani.

Ramadani gjithashtu thotë se janë të papranueshme edhe tendencat e fundit që përgjegjësia për këtë skandal të hidhet tek negociatorët, siç ndodhi në Kuvend kur deputetët e BDI-së u shprehën kundër ndryshimeve në kodin zgjedhor, duke hedhur fajin vetëm mbi Artan Grubin. Ramadani thotë se në bisedime ka pasur konsultime me krerët partiak dhe negociatorët nuk kanë marrë asnjë vendim pa pyetur liderët e tyre, Ali Ahmetin dhe Menduh Thaçin.

 

Comments