Stuhi e fuqishme e kaploi Kroacinë (FOTO)



Mot i lig i shoqëruar me reshje të rrëmbyeshme të shiut, bubullima dhe erë të fuqishme sot pasdite goditi pjesën perëndimore të gadishullit kroat, Istra.
Siç lajmëruan mediumet kroate, nga moti i lig, më rëndë është goditur rajoni rreth qytetit të Poreçit, ku kanë rënë pothuajse 80 milimetra shi në metër katror.
Rrugët në qytet janë mbuluar me ujë, ndërsa janë vërshuar hapësirat përdhesë dhe bodrumet e disa objekteve afariste dhe banesore.
Një përfaqësues i shërbimit rajonal zjarrfikës kumtoi se zjarrfikësit kanë intervenuar ndaj rreth 30 thirrjeve për shkak të vërshimeve në shtëpi familjare, bodrume dhe hapësira afariste.
Portali Indeks transmeton deklarata të banorëve të Poreçit, të cilët thonë se shiu ka vërshuar rrugët në pjesën e vjetër të qytetit.
Shumë qytetarë kanë mbetur të ngujuar në automjetet e tyre, sepse nuk kanë mundur të lëvizin nëpër rrugë të përmbytyra.
Ujërat e ardhura kanë hyrë edhe në pjesën makinerike të akuaparkut në vendin “Zelena Laguna”, për të cilin shkak objekti është mbyllur, ndërsa të gjitha ngjarjet e parapara për sonte janë anuluar.
Meteorologët parashikojnë se moti jostabil do të vazhdojë edhe në orët e ardhshme.
Për shkak të paralajmërimeve të tilla, autoritetet lokale u apeluan qytetarëve që t’i largojnë automjetet e tyre nga lokacionet kritike.