Sulmi në ShBA me thika, ISIS merr përgjegjësinë



ISIS mori përgjegjësinë për sulmin e mbrëmjes së të shtunës në Minnesota, ku një person i pajisur me thikë goditi nëntë persona në një qendër tregtare, e më pas gjeti vdekjen pasi u qëllua me armë zjarri nga një polic.
Në agjencinë e tyre të Amaq, ISIS tha se sulmi ishte projektuar nga ta dhe se ishte vënë në zbatim nga një ushtar i “Shtetit Islam”.
Deklarata ishte e ngjashme me ato të mëparshmet të grupit terrorist, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmet në Europë.
Policia dhe dëshmitarët tregojnë se terroristi, i veshur me një uniformë të një kompanie private sigurie, hyri në “Crossroads Mall”, tha disa fraza fetare në arabisht dhe i pyeti personat nëse ishin myslimanë përpara se t’i sulmonte.
Mediat lokale amerikane raportojnë se identiteti i agresorit nuk është bërë publik. Policia amerikane tha se asnjë prej të plagosurve nuk është në rrezik për jetën. Mësohet se agresori u qëllua dhe u vra nga një oficer policie, që nuk ishte në detyrë, por që ndodhej në vendngjarje.