
Mbyllet me një fund të lumtur telenovela “Donnarumma. Pas një takimi me drejtuesit kuqezi që zgjati për rreth tre ore, portieri i Milanit firmosi zgjatjen e kontratës që e lidh me “Djallin” deri në vitin 2021. 18-vjecari, sikurse ishtë paralajmëruar edhe më parë nga mediat italiane, do të përfitojë 6 milionë euro në sezon. Përvec Giggios, u bë zyrtarisht portier i Milanit edhe vëllai i tij më i madh Antonio Donnarumma, i ardhur nga Asteras Tripolis nga kampionat grek, i cili do të përfitojë si portier i dytë 1 milion euro në sezon.

Më në fund të gjithë të gëzuar pas një periudhe të gjatë bisedimesh që dukej se nuk do të përfundonte kurrë. Kërcënime dhe akuza si nga drejtuesit e Milanit ashtu edhe nga menaxheri i lojtarit Mino Raiola, por në fund palët e kuptuan se nuk kishin rrugë tjetër vec shtrëngimit të duarve.
Nëse Milani nuk do të arrijë të kualifikohet për në Champions League sezonin e ardhshëm, klauzola e largimit të portierit të kombëtares italiane do të jetë 50 milionë euro, por nëse kuqezinjtë të paktën do të arrijnë të luajnë në kompeticionin më të rëndësishëm për klube, atëherë vlera e kësaj klauzole shkon 100 milionë.