“Te unë vepron edhe Kanuni”, ngritet aktakuzë ndaj Gjergj Dedajt, dyshohet për kanosje të presidentes

290

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë para tre muajsh ndaj ish-ambasadorit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedajt.
Lajmin e ka konfirmuar për lajmi.net zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

Dedajt i është ngritur aktakuzë në drejtim të veprës penale “Kanosja”.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se më 20.10.2023, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër personit me inicialet Gj.D., në drejtim të veprës penale “Kanosja”, nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Mediumi ka provuar të kontaktojë edhe me Dedajn, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Megjithatë, mësohet se kjo aktakuzë është ngritur për shkak të gjuhës që Dedaj kishte përdorur ndaj presidentes Vjosa Osmani në një emision televiziv, shkruan lajmi.net.

Dedaj gjatë një paraqitje televizive kishte thënë se ndihet i rrezikuar nga siç e ka quajtur ai “Klani i Osmanit”, duke shtuar se ai dhe familja e tij që vjen nga Malësia e Gjakovës, veprojnë sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit.

Këtë deklaratë Dedaj e kishte bërë pasi ishte shkarkuar nga pozita e ambasadorit të Kosovës në Maqedoni të Veriut.

“Unë jam i ligjit, mirëpo na jemi shqiptarë. Nuk mundesh dikë që ja ki inati me e vra. Unë jam i rrezikum, nga Klani i Osmanit, i Vjosës dhe bashkëshorti i saj, nga njerëzit e saj dhe i listës Guxo. Nuk di që duhet me pasë kërcënim tjetër kur ta rrezikon jetën, të len të paftyrë, të hejk prej listës së pagave… Përveç ligjit të unë dhe familja ime te Malësia e Gjakovës vepron edhe kanuni i Lekë Dukagjinit. Nëse më shkel dikush, më vret dikush, ka mu vra edhe ai. Edhe ai ka me pasë pasoja. Presionin që janë kah ma bajnë”, kishte thënë Dedaj në T7 në janar të vitit 2022.

Për këto deklarata këcënuese të Dedajt, presidentja Vjosa Osmani e lishte denoncuar ish-ambasadorin tek organet e rendit.

Comments