Ambasada gjermane në Tiranë e mbylli zyrën e vizave dhe pasaportave për shkak të pandemisë

302

Ambasada gjermane në Tiranë kumtoi se prej sot zyra e vizave dhe e pasaportave është mbyllur për arsye parandaluese, për shkak të përkeqësimit të situatës me Kovid-19 në Shqipëri, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Tirana.

Përmes një postimi në Fejsbuk, Ambasada gjithashtu informoi se personat e prekur nga mbyllja e zyrës do të marrin një datë të re aplikimi sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Prej ditës së sotme, e hënë 20 korrik 2020, nisur nga gjendja aktuale Zyra e vizave dhe pasaportave të Ambasadës gjermane në Tiranë është e mbyllur për arsye parandaluese. Personat e prekur nga mbyllja e zyrës do të marrin në momentin më të parë të mundshëm një datë/orë të re aplikimi. Ne do të informojmë përmes faqes së internetit apo Fejsbukut sapo zyra të rinisë veprimtarinë e saj”, theksohet në kumtesën e ambasadës.

Shtohet se për raste urgjente mund të lajmërohen në numrat e telefonit 068 202 9109 dhe theksohet se në këtë numër nuk mund të merret informacion rreth datave të aplikimit apo procedurave për vizë.

Në Shqipëri, muajin e fundit numri i të infektuarve të rinj me virus është në rritje të vazhdueshme. Çdo ditë regjistrohen shifra të larta dyshifrorë, ndërsa në disa raste edhe numra treshifrorë, si pasojë e mosrespektimit të masave të mbrojtjes. Në dy ditët e fundit janë regjistruar rreth 200 raste të reja.

Para paraqitjes së pandemisë para ambasadës gjermane rregullisht mund të shihen një numër i të rinjve që prisnin të aplikonin për vizë pune.

Comments