Michel mbështet marrëveshjen e BE-së në Parlamentin Europian

368

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel mbështeti sot para Parlamentit Europian marrëveshjen e arritur mes 27 vendeve të BE për planin e rimëkëmbjes dhe buxhetin afatgjatë duke theksuar se bëhej fjalë për një sinjal besimi, dhe qëndrueshmërie.

Por, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, nënvizoi para Parlamentit se shkurtimet e bëra në buxhetin europian për të arritur këtë marrëveshje ishin një “pilulë e vështirë për tu gëlltitur”.

“Fillova duke thënë se marrëveshja e Këshillit Europian solli dritë në fund të tunelit. Por me dritën gjithashtu vjen hija. Dhe në këtë rast, hija vjen në formën e një buxheti shumë të varfër të BE-së në planin afatgjatë”, deklaroi ajo.

“Ky buxhet i varfër është një pilulë e vështirë për t’u gëlltitur. Dhe unë e di se kjo asamble ndjen të njëjtën gjë”, shtoi Von der Leyen.

Disa minuta para saj, Charles Michel ishte i kënaqur që kjo marrëveshje, e arritur pas katër ditësh dhe katër netësh bisedimesh, u lejon europianëve të rinovojnë për 30 vjet betimin e “martesës” së tyre”.

“Është uniteti europian që u konfirmua” shtoi ai duke nënvizuar se Europa është e pranishme, Europa është e qëndrueshme, Europa është në këmbë.

Parlamenti Evropian do të votojë sot, pas një debati, një rezolutë për marrëveshjen e 27 vendeve të BE-së. Por vetëm në vjeshtë do të votojë për buxhetin afatgjatë të BE, prej 1 074 miliardë eurosh, të cilin ose mund ta aprovojë ose ta refuzojë.

Comments