Përfundon takimi Hoti-Macron në Paris
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron kanë nisur takimin e paraparë për sot.
Takimi ka nisur në orën 11:30 në Pallatin Elize në Paris dhe ka përfunduar. Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, Xhavit Beqiri, këshilltari për media i kryeministrit Hoti.
“Takimi ka nisur në orën 11:30 dhe tashmë ka përfudnuar. Për detaje të takimit do t’ju informojmë përmes një komunikate për media”, ka thënë Beqiri.
Takimi Hoti-Macron ishte paralajmëruar të hënën nga kryeministria.
“Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e tij Avdullah Hoti do të udhëtojë sot për në Paris, ku nesër, më 7 korrik 2020, do të takohet me Presidentin e Republikës së Francës, Shkëlqesinë e tij Emmanuel Macron. Pritja zyrtare që bëhet enkas për kryeministrin e Republikës së Kosovës në Pallatin Elize (Palais de l’Elysée) në Paris, Pallati presidencial i Francës, tregon kujdesin dhe përkushtimin e Presidentit Macron ndaj Kosovës dhe të ardhmes së saj euroatlantike”, shkruante në njoftimin e kryeministrisë.
Ndryshe, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, do të mbajnë një video samit gjatë të premtes mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllimin zbutjen e tensioneve mes këtyre dy vendeve.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradi do të vazhdojë më 12 korrik në Bruksel. /Telegrafi/

