Zbardhet plagosja e mbrëmshme në Çair, arrestohen 4 persona, dy prej të cilëve janë të burgosur

346

MPB ka njoftuar se Sektori për Punë të Brendshme Shkup e ka zbardhur rastin e të shtënave që ndodhën dje (14.10.2024) rreth orës 18:00 në rrugën “Hristijan Todorovski-Karposh” afër komunës Çair, ku E.A. (35) nga Shkupi u plagos në këmbën e majtë nga një armë zjarri. Menjëherë pas marrjes së kallëzimit, u ndërmorën masa dhe aktivitete të gjera nga ana e policisë së SP Shkup – Njësia për Krime të Dhunshme, në bashkëpunim me “Qyteti i Sigurt” Shkup dhe Prokuroria Publike Shkup.

U identifikuan të gjithë pjesëmarrësit në ngjarjen kriminale: L.A. (32) dhe I.T. (30), të cilët u arrestuan dhe mbahen në stacionin policor për procedura të mëtejshme, si dhe A.R. (29) dhe M.I. (32), të dënuar me burg që po vuajnë dënimin në Burgun Idrizovë, të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale (14.10.2024) kishin dalë nga burgu me leje për punë.

Nga vendi i ngjarjes janë marrë gjurmë biologjike, janë përdorur aplikatorë për test baruti nga pjesëmarrësit e identifikuar, janë siguruar video incizime nga “Qyteti i Sigurt”, dhe është identifikuar edhe automjeti me të cilin njëri nga autorët kishte arritur në vendngjarje. Automjeti është marrë për ekzaminim kriminalistik.

Pas dokumentimit të plotë të rastit, në bashkëpunim me Prokurorinë Publike Shkup, Njësia për Krime të Dhunshme e SPB Shkup do të dorëzojë kallëzimet përkatëse.

Comments