Vdes në burg kritiku i Putinit, Navalny
Shërbimi i burgjeve ruse ka raportuar se kritiku dhe kundërshtari i Vladimit Putinit, Alexei Navalny ka vdekur në një burg të sigurisë së lartë.
“Më 16 shkurt 2024, në koloninë korrektuese nr 3, i dënuari A. A. Navalny nuk u ndje mirë pas një shëtitjeje, ku ka humbur vetëdijen”, thuhet në një deklaratë.
“Menjëherë kanë arritur punonjësit mjekësorë të institucionit dhe është thirrur ekipi mjekësor i urgjencës. Janë kryer të gjitha masat e nevojshme reanimuese, por nuk kanë dhënë rezultate pozitive. Mjekët e Urgjencës kanë konfirmuar vdekjen e të dënuarit”, thuhet në përfundim, raporton skynews.
Ndërkohë, Moska këmbëngul se nuk ka informacion mbi shkakun e vdekjes së kritikut të Putinit.
Një zëdhënës këmbënguli se shërbimi federal i burgjeve po bën të gjitha kontrollet e nevojshme në lidhje me vdekjen e tij.
Faqja e medias shtetërore ruse TASS raporton se Vladimir Putin është informuar për vdekjen e tij.
Kujtojmë se politikani 47-vjeçar, ish-avokat që hyri në politikë më shumë se një dekadë më parë duke kritikuar udhëheqjen e presidentit rus dhe korrupsionin e përhapur, ndodhej në burg rreth 60 kilometra në veri të Rrethit Arktik.
Navalny, i cili ishte dënuar me burg deri në moshën 74-vjeçare, kishte paralajmëruar se Rusia e Putinit drejtohet nga “hajdutë dhe kriminelë” dhe se një ditë do të ketë ndryshime sizmike dhe rebelim.

